PD reagon pas deklaratave të Metës në komision

PD reagon pas deklaratave të Metës në komision

19:37 09/09/2019

“Opozita, asnjë plan për djegien e Parlamentit më 8 Qershor”

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta, i cili tha në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij se një ditë përpara protestës kombëtare të thirrur nga opozita më 8 Qershor kishte informacion për një plan që synonte djegien e Parlamentit.

I kontaktuar nga televizioni Klan, numri dy në selinë blu, Gazment Bardhi mohoi që një skenar i tillë të ishte orkestruar nga opozita.

“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me Kryeministrin e vendit. Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 Qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës”.

Vetëm pak minuta përpara se të niste protesta e opozitës më 8 Qershor, Presidenti Meta anuloi 30 Qershorin, të dekretuar prej tij si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Dy ditë më pas në një konferencë për shtyp, kreu i shtetit tha se vendi rrezikonte të shkonte në konflikt  civil ndaj dhe ndërhyrjen e tij e cilësoi akt historik për të evituar përplasjen.

Tv Klan

Të ngjashme