“Reforma në Drejtësi ka dështuar”

Partia Demokratike reagoi pas lirimit nga burgu të disa anëtarëve të grupit “Bajri”. Kjo për demokratët është dëshmi se si regjimi i Edi Ramës i ka themelet tek krimi dhe se reforma në drejtësi ka dështuar.

“Lirimi nga burgu i grupit të tmerrshëm kriminal të Bajrave dëshmoi sot, në mënyrë të përsëritur, se regjimi i Edi Ramës i ka themelet tek krimi dhe se reforma në drejtësi ka dështuar, duke u bërë mburojë e grupeve kriminale në shërbim të pushtetit të kryeministrit. Lirimi i grupit kriminal të Bajrave, me të cilët Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet në Shkodër, konfirmoi para qytetarëve të vërtetën që ne e kemi thënë prej shumë kohësh, se kush është pjesë e grupeve kriminale, qeveria dhe drejtësia, nën diktatin e saj, bën gjithçka për ta shpëtuar”, u shpreh ish-deputeti Enkelejd Alibeaj gjatë një konference për shtyp.

Më tej ai shtoi se qytetarët që protestojnë për trashëgiminë kulturore dhe respektimin e lirive dhe të drejtave tërhiqet zvarrë, burgoset dhe goditet nga qeveria.

“Mes rinisë, artistëve dhe qytetarëve të ndershëm dhe bandës së tmerrshme të Bajrave, që njihet në zonën e Shkodrës për vrasje makabre, trafik droge dhe prostitucioni, Edi Rama zgjedh të jetë krah kriminelëve, t’i mbrojë ata, t’i lehtësojë nga akuzat dhe t’i lirojë nga burgu”.

Prandaj kjo është një arsye më shumë për të protestuar sipas PD. Selia blu i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që të heqin dorë nga presioni ndaj qytetarëve./tvklan.al