Pas kthimit nga ana e presidentit për rishqyrtim në parlament të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që parashikon unifikimin e detyrimeve tatimore për lojërat e fatit ka reaguar edhe Partia Demokratike.  Opozita thotë se përmes këtij ligji qeveria favorizon një kompani të vetme.

 “Ndryshimet ligjore favorizojnë Lotarinë Kombëtare, kompani e cila do të përfitojë nga lehtësitë në taksim, njësoj siç përfitojnë bizneset e tjera të bixhozi që nga viti 2015.”

Por Ministria e Financave në reagimin e saj ka sqaruar se ishte ligji i vjetër ai që e përjashtonte këtë kompani nga tatimi mbi të ardhurat.

 “Ndryshimi i propozuar, jo vetëm që nuk bie ndesh me rregullin e vendosur në vitin 2015, por e unifikon këtë rregullim, duke përfshirë edhe Lotarinë Kombëtare në të njëjtin kuadër fiskal. E vetmja kategori që bënte përjashtim nga ky rregull ishte Lotaria Kombëtare e dhënë me ligj të veçantë nga qeveria Berisha në 2013.”

Vetë presidenti Meta i pyetur për këtë qëndrim të financave refuzoi të bënte komente.

Mazhoranca pritet ta rrëzojë dekretin e Kreut të Shtetit, siç la të kuptohej edhe në letrën e saj Ministria e Financave.

Tv Klan