“Një nga dështimet e mëdha të qeverisë”

Për PD-në, reforma territoriale është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë së Edi Ramës. Gjatë një deklarate nga selia blu, përfaqësuesi i saj, Mateo Spaho tha se vetëm 2 vitet e fundit, kjo reformë i ka kushtuar rreth 92 milionë euro qytetarëve. Kjo sipas tij është kundër qëllimit të reformës, që ishte reduktimi drastik i shpenzimeve. Për selinë blu është bërë e kundërta dhe janë punësuar militantë në administratën lokale.

“Përveç largimit të shërbimeve nga qytetari, rritjes së taksave dhe ryshfetit për të mbaruar një punë, reforma territoriale është një katastrofë e vërtetë financiare.  Vetëm në dy vjet, 2017-2019, janë paguar nga taksat e qytetarëve rreth 92 milionë euro për më shumë se 8100 punonjës shtesë me kontratë të përhershme, veçanërisht në pushtetin lokal. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, çdo i punësuar i ri kushton rreth 580 mijë lekë në muaj. Një nga arsyet madhore të reformës territoriale ishte reduktimi drastik i shpenzimeve, por punësimi i militantëve në administratën lokale ka sjellë rritjen me 92 milionë euro në 2 vjet të kostos së rrogave të tyre”.

Më tej, Spaho shton se në krahasim me dy vite më parë ka 3% më pak teknikë dhe specialistë në administratën shqiptare.

“Ne harxhojmë 46 milionë euro në vit për pagat e tyre  që këta parazitë të pushtetit të bëjnë like dhe share në facebookun e Edi Ramës dhe të keqpërdoren në fushatë elektorale”.

Spaho e mbyll deklaratën duke thënë se “70% e financave vendore shkojnë për paga dhe administratën dhe vetëm 30% në investime në qytete dhe fshatra”./tvklan.al