PD rikthehet në Kuvend pas 2 vitesh braktisje të jetës parlamentare - Tv Klan

PD rikthehet në Kuvend pas 2 vitesh braktisje të jetës parlamentare



PD rikthehet në Kuvend pas 2 vitesh braktisje të jetës parlamentare

17:20 09/09/2021

Legjislatura e X, stina e debatit politik

Dy vjet pas djegies së mandateve dhe protestave në rrugë, opozita do të rikthehet të premten në parlament me deputetët e saj të zgjedhur me votë në 25 Prill.

Ndonëse e kursyer në informacione, nga selia blu mësohet se përpara nisjes së seancës formale të orës 10:00, Lulzim Basha do të mbledhë deputetët e grupit parlamentar, pjesë e të cilit është edhe lideri historik i demokratëve Sali Berisha.

Kjo legjislaturë me rikthimin e opozitës në kuvend pritet të sjellë jo pak debat dhe retorikë të ashpër mes palëve.

Vijueshmërinë e aksionit opozitar, Lulzim Basha e paralajmëroi në 17 Korrik nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar, ku foli qartë për kushtet e tij, duke i kërkuar autorit të masakrës elektorale, siç e cilëson ai Edi Ramën; reformë zgjedhore, kushtetuese dhe ndarje të re territoriale.

“Zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor”.

Në këtë legjislaturë të X të Parlamentit, opozita e Lulzim Bashës vjen me 59 deputetët e saj, ku vetëm Mark Marku deri më tani ka dhënë dorëheqjen e në vend të tij do të jetë Elda Hoti.

Tv Klan








Të ngjashme