“Po investohet në ndërtim, po asgjesohet shtresa e mesme”

Demokratët akuzojnë Kryeministrin Rama se gjatë qeverisjes së tij vendi është kthyer në parajsë të pastrimit të parave të pista. Duke ju referuar 4 raporteve më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Këshillit të Europës, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se paraja e pistë po mbyt biznesin e ndershëm dhe po asgjeson shtresën e mesme, duke e kthyer ndërtimin sektorin e preferuar për pastrimin e të ardhurave që vijnë nga trafikimi e lëndëve narkotike.

Për 4 vite rresht raportet zyrtare të Uashingtonit e cilësojnë Shqipërinë si “vend kryesor për pastrimin e parave”, për shkak të korrupsionit, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe zbatimit të dobët të ligjit nga qeveria.  I njëjti shqetësim është ngritur nga strukturat e specializuara të Këshillit të Europës dhe, së fundmi, edhe nga organizata të huaja që llogarisin se në Tiranë, vetëm në 3 vitet e fundit, janë pastruar rreth 1.6 miliardë euro në sektorin e ndërtimit”, u shpreh Alibeaj.

Sipas demokratëve mekanizmi që po përdoret për riciklimin e parave të ardhura nga droga e korrupsioni po përdoret në investime madhore, kryesisht për resorte turistike në bregdet apo koncensione. Selia blu thotë se këtij qëllimi i shërbeu edhe tentativa e qeverisë për amnisti fiskale për ligjërimin e parave të pista të qeveritarëve dhe se pas ardhjes në pushtet ata premtojnë se do të zbatojnë planin e tyre “ndiq paranë”.

Tv Klan