Vizitoi të sëmurët me koronavirus pa veshjen e duhur

“Unë quhem Ilir Allkja, jam mjek në Urgjencën paraspitalore të QSUT-së. Unë me kolegët e mi jemi në vijën e parë të luftës ndaj epidemisë COVID-19 që ka shpërthyer në Shqipëri dhe po shërbejmë me vetëmohim për të shpëtuar jetët njerëzore.

Unë sot personalisht jam i vetëkarantinuar derisa të konfirmohet gjendja ime shëndetësore, pasi mbrëmë kam vizituar tre pacientë të dyshuar me COVID-19, pa veshjen speciale. Unë kam një thirrje për kolegët e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore si dhe për drejtorin e saj z.Skëndër Brataj: Jini më të kujdesshëm në pyetjen e personave që kërkojnë ndihmë nga numri 127. Kërkoni nëse ata (personat) kanë temperaturë, nëse kanë simptoma respiratorë, nëse kanë lidhje me njerëz të infektuar apo persona që kanë udhëtuar. Ne duhet të punojmë të gjithë me mençuri që sistemi shëndetësor të mos bjerë në kolaps nga pakujdesia apo papërgjegjshmëria. Ne po punojmë që të kursehet jeta e çdo shqiptari. Ju duhet të kurseni jetën e çdo mjeku apo infermieri. Ju na nisni me veshje speciale për çdo rast të dyshuar! Veshjet vlejnë shumë më pak sesa jeta jonë”!

Ky videomesazh i mjekut Ilir Allkja për Lulzim Bashën është dëshmi se nevojiten fonde shtesë për blerjen e pajisjeve moderne si për bluzat e bardha ashtu edhe për nxjerrjen në një kohë sa më të shpejtë të rezultateve të analizave të personave të prekur me virusin vdekjeprurës.

“Nuk mjaftojnë 3.5 milionë Dollarë. Të sigurohen pajisjet për stafet mjekësore. Nëse nuk mbrojmë mjekët që janë vija e parë e kësaj situate, atëherë si mund të kujdesemi për qytetarët. Është tashmë e mundshme pajisje që e shkurtojnë analizë në 40-45 minuta. I bëj thirrje që të merren pajisjet që e zbulojnë këtë virus dhe testimin efektiv. Aparaturat e evoluara në këto 2-3 muaj kohë janë sot në treg dhe janë i bindur se me fondet e mjaftueshme edhe Shqipëria mund të përfitojë nga to. Kjo është thirrja kryesore që kam për autoritetet. Nuk mjafton fondi i vënë në dispozicion, nuk mund te fshihet pamundësia për të përballuar gjendjen në vend vetëm pas akteve të vetëndërgjegjësimit dhe propagandës”.

Kryedemokrati propozoi rishikim të buxhetit si dhe një paketë masash që sipas tij i vijnë në ndihme biznesit dhe konsumatorëve.

“Pezullimin dhe fshirjen e pagesës së faturës së ujit dhe energjisë për të gjithë konsumatorët familjarë dhe biznese në zonat ku COVID-19 është shfaqur. Të ndalohet shkëputje e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në ato rastet e mospagesës deri në tejkalimin e kësaj situate. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore dhe shlyerjen e këtyre pagesave me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse. Përjashtimin nga tatim fitimi për një periudhë 6-12 muaj të gjitha subjektet në zonat ku virusi COVID-19 është shfaqur me qëllim përballimin e plotë të 2 muaj kosto të pagave të punonjësve dhe ambienteve të marra me qira për zhvillimin e aktivitetit. Përjashtimi nga taksa e pronës nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat dhe bashkitë ku COVID-19 është shfaqur. Përjashtimi nga kamatëvonesat dhe gjobat për një periudhë 3-mujore. Mbështetje me fokus të veçantë për sektorët prioritare dhe sektorët me vulnerabël siç është turizmi, fasonët apo Call-Center”.

E ndërsa  Kryeministrin e ftoi që të mos bëjë propagandë e të hapë thesarin për qytetaret, nga këta të fundit kërkoi përgjegjshmëri lidhur me masat e caktuara nga OBSH që mundësojnë parandalimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës.

Tv Klan