“5 nga 12 godinat tek zona “5 maji” do jene zyra luksi”

Partia Demokratike akuzon qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës se po e përdorin procesin e rindërtimit për të përvetësuar pronën e qytetarëve në interesa personale dhe të jashtëligjshme. Nëpërmjet ish-deputetes Jorida Tabaku, selia blu thotë se një pjesë e godinave që do të ndërtohen në zona e “5 Majit” në kryeqytet do kthehen në zyra luksi për administratën.

“Në zonën “5 Maji” do të ndërtohen 12 godina me vlerë 52 milion euro; godina të cilat duhet t’u përkisnin banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Por nuk do të ndodhë aspak kështu, sepse fondet e rindërtimit, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për një qëllim tinëzar. 5 prej tyre do të rrëmbehen nga qeveria”.

Për demokratët ky është një akt i paligjshëm, prapa të cilit fshihen qëllime të tjera në kurriz të interesit publik.

“Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk ndryshojnë aspak nga personazhi famëkeq Tenardie i Viktor Hygoit. Ai plaçkiste të vdekurit, këta grabisin për luksin e tyre godinat që duhet të strehonin familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmeti. Por shumë shpejt, e vërteta do të dalë, për të dy këta që luajnë me fatkeqësinë e shqiptarëve për interesat e ngushta personale”.

Partia Demokratike thekson se fajtorët do të përgjigjen personalisht për këto sjellje personalisht, pasi askush nuk mund t’i shpëtojë barazisë përpara ligjit.

Tv Klan