Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj Partisë Socialiste për manipulim të zgjedhjeve të 25 Prillit. Drejtuesi i Forumit Rinor të PD-së, Belind Këlliçi deklaroi se shtabi elektoral i ministres Belinda Balluku ka mbledhur të dhënat e banorëve të zonës me qëllim kryerjen e legalizimit para zgjedhjeve. Këlliçi tha se ky është përdorim i burimeve shtetërore për qëllime partiale dhe elektorale dhe ndëshkohet me burg.

Më tej ai shtoi se PD-ja ka kallëzuar në SPAK ministren dhe stafin e saj për krime elektorale, shpërdorim detyre dhe grup të strukturuar kriminal. Me gjithë këtë sipas Këlliçit prokuroria dhe SPAK po heshtin.

Deklaratë e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi:

Provat e manipulimit të zgjedhjeve nga regjimi Rama-Doshi bëhen çdo ditë e më të shumta dhe çdo ditë e më të qarta.

SPAK ka tashmë në dorë provat e një prej operacioneve më të gjera të shndërrimit të shtetit në ingranazh të makinerisë së deformimit të vullnetit të qytetarëve nga ministrja Belinda Balluku.

Shtabi elektoral i Belinda Ballukut, me në krye drejtuesen e shtabit, Laureta Omeri mbledhin të dhënat e banorëve të zonës elektorale të Belinda Balkukut për të kryer legalizimin para zgjedhjeve. Ky është përdorim i  burimeve shtetërore për qëllime partiale dhe elektorale dhe ndëshkohet me burg.

Në këtë bisedë ka detaje të ndërtesave dhe adresave përkatëse për të cilat shtabet elektorale të Partisë Socialiste urdhërojnë legalizimin e menjëhershëm para zgjedhjeve, në këmbëim të votës. Aty dalin në pah hartat e banesave, emrat e punonjësve të administratës publike në vënë në shërbim të kësaj skeme kriminale të blerjes së votës, emrat e votuesve, por edhe shumë informacione të tjera.

PD ka bërë kallzim kundër ministres Balluku dhe stafit të saj për krime elektorale, shpërdorim detyre dhe grup të strukturuar kriminal që prej datës 12 prill 2021.

Heshtja e deri më sotme e Spak dhe e prokurorisë për hetimin e këtij krimi zgjedhor, të depozituar javë më parë nga PD, është tregues i qartë se strukturat që kanë për detyrë të hetojnë këto krime nuk po e kryejnë misionin e tyre.

Sot Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i SPAK kanë përpara tyre një krim të dyfishtë, atë të vjedhjes së zgjedhjeve dhe atë të mosveprimit të organit të prokurorisë për të parandaluar e ndëshkuar krimet zgjedhore të provuara. Ky rast flagrant është një provë sesa të përkushtuar janë vërtëtë këto organe për të përmbushur detyrën e tyre, sic pret opinion publik shqptar dhe partnerët tanë ndërkomëbtarë.

Kjo është një provë flagrante që provon se si Edi Rama dhe Belinda Balluku janë në krye të operacionit kriminal të vjedhjes së zgjedhjeve, duke shkelur ligjin dhe duke përdorur burimet shtetërore për të deformuar vullnetin e qytetarëve dhe rezultatin e zgjedhjeve. Dhe ky nuk është një rast i izoluar por një hallkë në zinxhirin e gjatë të përdorimit të administratës publike dhe buxhetit të shtetit në funksion të blerjes së votës.

Të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se se si kanë vepruar Rama-Doshi dhe bandat e pushtetit për të vjedhur dhe blerë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit. Të tjera fakte dhe të dhëna do të publikohen në ditët në vijim.

Një gjë është e sigurtë. Ne do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin e madh që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, që ta rrëzojmë regjimin Rama-Doshi./tvklan.al