Pak orë përpara protestës opozitare, Partia Demokratike ka reaguar duke dënuar arrestimet e qytetarëve pas incidenteve në disa KZAZ të vendit.

Selia blu thotë se ish-deputeti i saj Bardh Spahia po mbahet i arrestuar pa asnjë provë ndaj tij. Partia Demokratike kërkon nga autoritetet që të lirohen të gjithë përfaqësuesit e opozitës.

Bardh Spahia dhe dhjetëra qytetarë në mbarë vendin janë të burgosur politik të regjimit autokratik kriminal të Edi Ramës, që përndjek kundërshtarët politikë dhe dhunon qytetarët. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia, prej gati 48 orësh, mbahet i burgosur, pa asnjë fakt që ta implikojë atë në shkelje të ligjit.

Paralajmërojmë prokurorinë të zbatojë ligjin dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të përfaqësuesit të opozitës. Ky është një rast që prokuroria të mos i nënshtrohet urdhrit politik të Edi Ramës. Çdo prokuror apo gjyqtar që, në vend të ligjit, bëhet vegël qorre e regjimit në ikje të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale për shkeljen e ligjit”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike. /tvklan.al