Një takim i hapur me publikun në qytetin e Korçës është organizuar nga Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike, lidhur me projekt-ligjin për të kthyer 288 hektarë tokë bujqësore në zonë minerale për përdorimin e torfave të Maliqit për prodhim energjie në TEC me kapacitet 500 MW.

Sipas selisë blu, pjesmarrësit në këtë takim kërkuan mbajtjen e debateve publike dhe konsultimeve të gjera me grupet e interesit. Ata theksuan se mungesa e transparencës lë shumë pikëpyetje mbi dëmet ekologjike që shkakton tymi dhe mbi 50 milionë ton hi që mbeten pas prodhimit.

Gjatë takimit mësohet se u firmos një peticion ku i kërkohet Parlamentit të pezullojë miratimin e këtij projekt-ligji derisa të kryhen seanca të plota të konsultimeve me publikun, të detyrojë komisionet parlamentare të dëgjojnë zërin e ekspertëve, këshilltarëve bashkiakë dhe të banorëve dhe të detyrojë qeverinë që të kryejë studime të thelluara për vlerësimin strategjik mjedisor, për vlerësimin e ndikimeve sociale, për përcaktimin e teknologjisë dhe shpërndarjes së tymrave në ajër, dhe rrugëzgjidhjes për gati 50 milione ton hi që do të krijohet nga një TEC i mundshëm./tvklan.al