“PS është degraduar në një bandë trafikantësh dhe përdoruesish droge”

Partia Demokratike reagoi pas publikimit në media të një videoje të kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, i cili sipas tyre shfaqet duke konsumuar lëndë narkotike. Në një deklaratë lëshuar për mediat nga selia blu thuhet se kandidimi në 30 Qershor nga Edi Rama i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar ka qenë strategji e kryeministrit për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin.

“Video shokuese e kryebashkiakut ilegjitim të emëruar nga Edi Rama në Bulqizë, është modeli që ofron ai në qeverisje. Lefter Alla është pasqyra ku të gjithë mund të shohin Edi Ramën e kokainës. Ai ka jo vetëm përgjegjësinë politike për përzgjedhjen e këtyre individëve, por edhe përgjegjësinë ligjore për shkarkimin e menjëherëshëm nga detyra të Lefter Allës”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike bën thirrje që Alla të ndiqet penalisht për moskallëzim krimi ndaj atyre që i kanë siguruar kokainën. Ndërkohë përdorimi i lëndës narkotike në ambiente publike nga kryebashkiaku i Bulqizës, provon sipas PD-së, degradimin e PS-së, nga një parti politike në një bandë trafikantësh dhe përdoruesish droge.

“Është kjo arsyeja pse të rinjtë e mirëshkolluar dhe shqiptarët e ndershëm kanë humbur besimin dhe kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Ndarja e politikës nga krimi është emergjencë kombëtare! Largimi i trafikantëve dhe përdoruesve të drogës nga politika është hapi kyç për t’i hapur rrugë një qeverisje normale në Shqipëri dhe për të kthyer besimin tek të rinjtë se meritokracia dhe jo lidhja me krimin janë mundësia për të bërë karrierë. Kjo ndodh vetëm me largimin e Edi Ramës, njeriut të kokainës që promovoi bashkëqeverisjen me krimin dhe qëndron në pushtet me mbështetjen e krimit”, thuhet më tej në deklaratën e PD-së. /tvklan.al