“Padi në SPAK për Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka”

Partia Demokratike akuzon qeverinë se tenderi 1.5 milionë euro i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes për blerje ushqimesh ka qenë i paracaktuar dhe se kompania fituese nuk ka asnjë eksperiencë në këtë fushë.

“E vërteta është që kompania “Eurovia”, është regjistruar në Shqipëri rreth një vit më parë, në Shkurt 2019. Aktiviteti i saj kryesor lidhet me pajisje elektronike, ndërtim dhe sisteme kompjuterike. Ajo ka si administrator shtetasin Emir Shefitin, një pronar kompanie bastesh sportive të regjistruar në Tetovë, të quajtur “Sports and More”, e cila merret me lojëra kompjuterike dhe programime teknologjike”.

Sipas ish-deputetit Enkelejad Alibeaj, vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit, dega e kësaj kompanie në Shqipëri ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin e produkteve ushqimore dhe se nuk është respektuar ligji për eksperiencën 3 vjeçare të çdo kompanie që hyn në garë.

“Më datë 19 Mars 2020, gjashtë ditë përpara se Ministria e Mbrojtjes ta shpallte fituese për blerjen e pakove ushqimore, kompania “Eurovia” shpk shtoi në objektin e aktivitetit të saj edhe “Import eksport te mallrave industriale e ushqimore”.

Pas publikimit të dokumenteve, demokratët thonë se do të paraqesin një kallëzim penal në SPAK ndaj Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.

Tv Klan