“Qeveria të tregojë kapacitetet testuese”

Teksa numri i të prekurve me Covid-19 sa vjen dhe rritet, demokratët i kërkojnë qeverisë të shtojë menjëherë numrin e testimeve.

 “Koha nuk pret. Është koha për testim masiv, në mënyrë që sakrifica e qytetarëve të mos shkojë dëm! Për fat të keq, qeveria bën sikur nuk dëgjon”.

Partia Demokratike e fton qeverinë të mos fshehë kapacitetet testuese, duke e ftuar të përditësojë informacionin, sikundër ndodh sipas saj në çdo vend.

“Nuk është koha që Edi Rama të përdorë jetët dhe shëndetin e shqiptarëve për politikë dhe as për eksperiment. Çfarë fsheh qeveria? Pse nuk tregohet numri në dispozicion i testeve dhe pajisjeve që bëjnë të mundur zbulimin e virusit? A ka një strategji qeveria që me numrin e ulët të testimeve të mbajë artificialisht të ulët edhe numrin e qytetarëve të prekur nga virusi? Nëse me numrin e ulët të testimeve po synohet fshehja e numrit real të personave të prekur, ky është një akt gjakftohtë kriminal”.

Një ditë më parë përfaqësuesja e task forcës Eugena Tomini në një intervistë për televizionin Klan tha se në laboratorin e virulogjisë bëhen rreth 600 testime në ditë. Por sipas demokratëve është emergjencë ndërprerja e zinxhirit të infektimit dhe se vetëm diagnostikimi i hershëm i qytetarëve të prekur është çelësi i suksesit për t’iu kthyer sa më parë jetës normale.

Tv Klan