“Mafia e plehrave, 11 mln euro çdo vit në parajsat fiskale”

Partia Demokratike ka denoncuar sërish atë që e quan aferë korruptive të qeverisë në lidhje me inceneratorët. Nga njësia 4 në kryeqytet, kryetari i Forumit Rinor në PD, Belind Këlliçi tha se edhe pse qeveria paguan miliona euro për përpunimin e mbetjeve, Tirana vijon të mbetet një nga qytetet më të papastra në vend.

“Kryeqyteti mbi të gjitha, është më i ndotur se kurrë më parë. Edhe pse deri tani janë paguar plot 70 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë dhe taksapaguesve shqiptarë për këto tre inceneratorë, edhe pse qeveria planifikon të paguajë me qindra milionë euro këto tre inceneratorë, ne jemi këtu për t’ju treguar që, asgjë nuk është bërë për të pastruar qytetet tona dhe për të pastruar mbi të gjitha, kryeqytetin”, tha ai.

Për Partinë Demokratike bëhet fjalë për një skemë të mirëfilltë kriminale nëpërmjet së cilës persona me pushtet dhe bashkëpunëtorët e tyre arrijnë të përfitojnë miliona euro në vit nga paratë e taksapaguesve shqiptar.

“Ne jemi të vetëdijshëm sot dhe nuk ka shqiptarë që nuk e di, se mafia e plehrave e drejtuar nga Erion Veliaj, Edi Rama, Arben Ahmetaj, Banda e Lushnjes dhe elemente të Ndraghetës, transferon çdo vit në parajsat fiskale përmes sekserëve të tyre, Mërtirit dhe Zotos plot 11 milionë euro”.

Partia Demokratike për këtë çështje ka depozituar në prokurorinë e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit 3 padi penale ku akuzon Kryeministrin Edi Rama, Ministrin Arben Ahmetaj, Kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ish-Ministrin Lefter Koka dhe biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, për shpërdorim detyre, pabarazi në tendera dhe për grup të strukturuar kriminal.

Tv Klan