Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ishte i ftuar këtë të martë në studion e Klan News. Përballë gazetarit Drini Zeqo ai tha se selia rozë ka muaj të tërë që organizohet për zgjedhjet e 11 Majit, më saktësisht për votimet e diasporës.
“Sa i përket asaj që thotë PD, tani këto janë historira që kanë të bëjnë me mënyrën si ne funksionojmë. Ne nuk e kemi fshehur aspak që kemi kohë që përgatitemi për këtë ditë që do të vijë. Për diasporën nëse votimet i kemi më 11 Maj, diaspora i ka më 5 Mars. Nëse nuk janë regjistruar, ata nuk mund të votojnë. Duke e ditur këtë ne kemi kohë, ndoshta më shumë se 5 muaj që mendojmë se çfarë do duhet të bëjmë, si do duhet të organizohemi”, tha Klosi.
Klosi tha se demokratët janë kujtuar vonë dhe pastaj akuzojnë socialistët pse e kanë nisur punën për diasporën më herët. Megjithatë kjo sipas tij nuk është akuzë, por vërtetësi për punën në terren të socialistëve.
“Ata janë kujtuar vonë siç i kanë të gjitha punët që i bëjnë në minutë të fundit Partia Demokratike, janë kujtuar tani të dalin në diasporë, të shikojnë se sa para kemi qenë ne dhe bëjnë këtë akuzë. Kjo nuk është akuzë, kjo është vërtetësi. Ne nuk e kemi fshehur, ne kemi kaq muaj që bëjmë mbledhje publike”, tha Klosi.
Po ashtu hodhi poshtë akuzat e opozitës se mazhoranca po i bën presion diasporës. Sipas Klosit, kjo ndodh pasi demokratët e ndjejnë që nuk do të fitojnë më 11 Maj.
“Është e çuditshme, sa herë që dalin përfaqësuesit e opozitës nuk japin arsyet pse do fitojnë, por japin arsyet pse do humbin. Edhe tani thonë që po i bën presion diasporës. Si i bëhet presion diasporës? Një mënyrë të vetme të na e tregojnë. Çfarë do të thotë, t’i bëjmë presion ne votuesve në diasporë. Ata as nuk e mbajnë dot këtë debatin që nuk i bëjmë presion siç thonë. Kujt administrate i bëjmë presion? Atyre që punojnë në Holandë? Atyre që punojnë në Angli? Atyre që punojnë në Amerikë? Atyre që punojnë në Australi apo në ishujt oqeanikë? Ata kanë dëshirë, regjistrojnë, votojnë të lirë. Si mund t’u bëhet presion nga Shqipëria që të votojnë ata? Edhe këtë do thonë? Diaspora në shumicën e tyre, ia kanë dalë falë energjisë, vrullit, punës, ia kanë dalë të jenë mirë. Si i bëhet presion nga Shqipëria një të riu që jeton në Angli? Këtu duhet të ketë logjikë gjëja. Nga ndjesia e fortë që kanë se përsëri do humbin, në çdo moment që prononcohen, që PS ka 5 muaj që përgatitet. Kemi më shumë se 5 muaj që mendojmë votën e diasporës. Siç bëjmë fushatë në Shqipëri, shkojmë takojmë”, tha Klosi./tvklan.al