6 vendimet e marra nga Këshilli Bashkiak i Tiranës që kishin të bënin me administrimin e pronës publike sipas Partisë Demokratike janë marrë në shkelje të ligjit.

Selia blu publikoi një video në të cilën ajo thotë se, në votim kanë marrë pjesë 31 këshilltarë nga 37 që kërkon ligji për vendimmarrjet me shumicë të cilësuar.

“Sot në Këshillin Bashkiak të Tiranës është deklaruar se janë miratuar 6 vendime që lidhen me administrimin, dhënien, përdorimin apo qiranë e pronave publike në Tiranë. Nga drejtuesit e Këshillit është deklaruar miratimi i këtyre vendimeve, të cilat, në bazë të ligjit të vetëqeverisjes vendore si detyrim kanë përcaktimin, në nenin 54/e të këtij ligji, votimin e tyre me një shumicë prej 3/5-ash nga këshilltarët bashkiakë. Në fakt rezulton, sikundër mund të verifikohet edhe nga pamjet e kamerave, se në momentin e votimit, të pranishëm janë 31 anëtarë të këshillit bashkiak, pra, shumë larg kuotës prej 37 votash të cilat detyron ligji vendimmarrjen për përdorimin e pronave publike”.

Për Partinë Demokratike ky është një akt mafioz, që tenton të grabisë pronën publike në Tiranë, për t’ia dhënë atë klientëve të mafias pranë Kryebashkiakut Veliaj.

Tv Klan