PD: Vendimi i KQZ-së do ankimohet



PD: Vendimi i KQZ-së do ankimohet

15:41 18/03/2021

“Rama tenton të bëjë pis listat e koalicionit opozitar”

Demokratët paralajmërojnë ankimim të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili la pa regjistruar 69 kandidatë për deputetë të koalicionit opozitar.

Oerd Bylykbashi: Kjo paligjshmëri goditet në CAS, në kolegjin zgjedhor, por ka edhe trajta antikushtetutshmërie.

Ish-deputeti Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore e cilëson një vendim të paligjshëm e arbitrar.

Jo vetëm sistemi zgjedhor hyn në kolaps dhe nuk plotëson dot parlamentin, por mbi të gjitha është mohimi i të drejtës për të garuar dhe nga ana tjetër është gjithashtu edhe mohimi i të drejtës së zgjedhësve për të votuar kandidatët e tyre.

Në vazhdën e paligjshmërisë sheh edhe tentativën sipas tij të maxhorancës për të mos vendosur emrat e kandidatëve në fletën e votimit, por vetëm renditjen e tyre me numër.

“Partia Socialiste ka mbushur radhët e saj me figura të cilët vijnë apo mbështeten nga bota e krimit dhe është komode për Edi Ramën që t’i fsheh pas numrave. Ne kërkojmë që emrat e opozitës të jenë emra të cilët përzgjidhen drejtpërdrejtë nga zgjedhësit dhe emrat e atyre të jenë në fletët e votimit.

Lulzim Basha i ka besuar jo vetëm dy prej reformave më të rëndësishme, atë zgjedhore dhe në drejtësi, por në 25 prill edhe mandatin për herë të tretë të deputeti në Qarkun e Durrësit. Një betejë që e sheh të fortë e që sipas tij do të bëjë edhe kthesën për t’u ndarë nga bashkëqeverisja me krimin.

Është një betejë që vërtetë do të jetë e fortë, por do të jetë edhe pika që do të tregoj që qeverisja e Edi Ramës është mbyllur. Qytetarët e Durrësit nuk pranojnë më modelin e qeverisjes së Edi Ramës dhe kërkojnë realisht ndryshim, jo vetëm rotacion.

Ligjin e Dekriminalizimit e cilëson si një ndër betejat e tij të fituara përballë Kryeministrit Rama, maxhoranca e të cilit ka artikuluar për persona me rekorde kriminale në listat e opozitës, përfshi edhe në qarkun ku Bylykbashi kandidon.

Partia Demokratike dhe opozita është ballëhapur përpara ligjit të dekriminalizimit. Asnjë tentativë e Edi Ramës nuk mund të barazojë listat e opozitës me ato lista ku krimi mbizotëron.

Si garanci për pastërtinë e figurës së kandidatëve për deputetë, pak ditë më parë Lulzim Basha iu drejtua Prokurorit të Përgjithshëm me një shkresë ku i kërkon verifikim të thelluar të emrave të vënë në shënjestër nga maxhoranca.

Tv Klan







Të ngjashme