Partia Socialiste ka mbledhur që prej orës 19:00 Kryesinë, ku do të përcaktohen kandidatët të cilët do të garojnë në zgjedhjet vendore të 14 Majit për 61 bashkitë e vendit.

Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetarja Elja Zotka ka dhënë më shumë detaje rreth asaj që pritet të vendosë Kryesia e PS-së.

Pyetje: Cilat janë detajet më të fundit nga kjo mbledhje?

Elja Zotka: Shumë detaje nuk kemi sepse mbledhja është me dyer të mbyllura. Gati 80 për qind e bashkive do të rikonfirmohen kryetarët aktualë. Nga 12 qarqe, 10 janë rikonfirmime. Ato që do të kemi kandidatë të rinj është Shkodra që socialistët nuk kanë pasur asnjëherë fatin ta drejtojnë. Tashmë është konfirmuar se do të jetë deputeti Benet Beci që do të kandidojë për Bashkinë e Shkodrës. Ai do të lërë mandatin ditën e hënë. Po ashtu, është një tjetër deputeti i PS-së, Besjan Ajazi që do të kandidojë për Gramshin. Pra, janë vetëm 2 deputetë që do të kandidojnë për kryetar bashkie. Vlora është zbuluar enigma sot. Si në asnjë bashki tjetër, kryesocialisti Rama ka vendosur që të shkojë vetë dhe të pyesë Asamblenë e Partisë Socialiste. Është votuar për 2 emra, Ermal Dredhën dhe për ish-deputetin Fate Velaj. Ermal Dredha ka marrë mbështetjen maksimale të Asamblesë së PS-së.  

Pyetje: Do të doja të ndaleshim tek kandidiati i Vlorës, cili është Ermal Dredha?

Elja Zotka: Ermal Dredha është pak i njohur politikisht, por si profesionist është shumë i njohur pasi prej shumë vitesh është diplomat. Ai ka punuar si shef i Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme. E ka bërë këtë edhe gjatë kohën kur drejtohej kjo ministri prej PD. Prej më shumë se 4 vitesh është diplomat, ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe. Prej 1 viti i ka mbaruar dhe mandati dhe tashmë do të jetë kandidati për Bashkinë e Vlorës. Ai njihet në Vlorë dhe për shkak se babai i tij, Neki Dredha në vitin 1998-2000 ka drejtuar Bashkinë e Vlorës./tvklan.al