PD vijon akuzat në lidhje me rindërtimin

PD vijon akuzat në lidhje me rindërtimin

10:02 05/11/2020

Partia Demokratike vijon që të akuzojë qeverinë në lidhje me rindërtimin. Këtë të enjte, ish-deputetja Jorida Tabaku ka publikuar pamje të dy kantiereve, që ajo i quan magjike. Sipas saj aty ndërtohen shtëpi imagjinare, rrugë, porte në 3D dhe aeroporte që duhet të ishin ndërtuar më parë.

“Por sapo kamerat largohen nga kantieret imagjinare, gjithçka i rikthehet heshtjes dhe shesheve të premtimeve të pambajtura”, shkruan ajo në Facebook.

Sipas Tabakut, prej një viti pas tërmetit janë ndërtuar gjithsej 48 shtëpi nga 3389 të kontraktuara për rindërtim.

“Sikundër lagjet e reja apo aeroportet anë e mbanë Shqipërisë ekzistojnë vetëm në një folder special në USB-në e Arben Ahmetaj”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, çdo hap i procesit të rindërtimit është shoqëruar me korrupsion. Ajo i drejtoi disa pyetje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me procedurën e shembjes së gjimnazit Sami Frashëri.

“1. A u rehabilitua Sami Frashëri pak muaj para se të shembej ndonëse EV tha që do rrojë me vite?

2. Me ccfarë fondesh po ndërtohet Sami Frashëri? Veliaj dhe Ahmetaj thanë me fonde të BE, ndërkohë që BE thotë që nuk po ndërton asnjë shkollë në Tiranë me fondet e saj.

3. A është shpallur në buletinin e datës 27 Mars projektimi i ndërtimit të shkollës Sami Frashëri dhe anulluar me datë 21 Prill? Që do të thotë se kur u prish me datë 24 Prill nuk kishte një projekt…

4. Në ç’sirtar ka përfunduar procedura e përfunduar e tenderit për shkollën Sami Frashëri? Pse nuk është bërë publike”, pyet Tabaku.

Më tej ajo shton se Rama dhe Veliaj “duhet ta kenë dhe përgjigjen pse shkollat e tyre janë me kosto 4,5mln euro dhe të BE 700 000 euro”. /tvklan.al





Të ngjashme