“Nuk llogaritet volumi i mbetjeve, kosto e papërballueshme për buxhetin”

Partia Demokratike vijon të ngrejë akuza të forta për qeverinë mbi inceneratorin e Tiranës. Ish-deputetja, Jorida Tabaku, duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ngre alarmin për një skemë tjetër kriminale edhe më të rëndë se vjedhjet me inceneratorn e Fierit dhe Elbasanit.

“Shqiptarët do të paguajnë shtesë 104 milionë Euro vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritja e saktë e volumit të plehrave. Kjo do të thotë që vlera e kontratës se operimit për incineratorin e Tiranës do të shkojë në 300 milionë Euro dhe jo 223 milionë Euro, sa mashtron Ministria e Financave”.

Sipas Tabakut, KLSH ngre pikëpyetje mbi mënyrën sesi institucionet përgjegjëse buxhetore pranuan koncesionin e propozuar nga kompania private, duke injoruar shkallën e lartë të rrezikut që përbën ky projekt për buxhetin e shtetit.

“Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit theksohet se kontrata për inceneratorin e Tiranës ia kalon të gjithë rrezikun taksapaguesit shqiptar. Më konkretisht, nëse kompania e inceneratorëve nuk arrin të sigurojë mbetjet e garantuara në kontratë, do të jenë shqiptarët ata që do të paguajnë për fitimin e inceneratorit”.

Tabaku i bëri sërish thirrje SPAK-ut që të hetojë pa vonesë këtë aferë korruptive.

Tv Klan