Partia Demokratike ka vijuar me akuzat ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në lidhje me përdorimin e helikopterëve të ushtrisë.

Ish-deputeti Gent Strazimiri tha këtë të enjte se Xhaçka është rasti tipik i abuzimit që disa ditë më parë u konfirmua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar se “Qeveria e Shqipërisë është e fundit për ndihmën financiare ndaj familjeve dhe biznesit”.

“Në vend që helikopteri të rrijë në gatishmëri për të marrë të sëmurë diku larg, Olta Xhaçka e përdor për të shkuar në Asamblenë e Partisë Socialistë në Dibër. Në vend që helikopteri të rrijë në gatishmëri për çdo emergjencë që mund të ndodhë, Olta Xhaçka e përdor për të shkuar në ahengjet e Shqipëria që duam”.

Sipas selisë blu, Xhaçka ka shpërdoruar detyrën dhe fondet publike e për këtë arsye duhet që të ndiqet penalisht.

“Një kryeministër normal, do të duhej ta kishte shkarkuar menjëherë nga detyra”.

Sipas Strazimirit, Xhaçka e ka përdorur helikopterin e ushtrisë për të shkuar në mbledhjet e partisë në Dibër në momentin që u delegua atje nga kryeministri Edi Rama.

“Olta Xhaçka dhe Edi Rama mund të vazhdojnë heshtjen fajtore dhe abuzimin kriminal, por kjo pak rëndësi ka! Qytetarët e kanë kuptuar se këta janë një hordhi barbarësh që punojnë vetëm për vete”./tvklan.al