Akuzave të Partise Demokratike, Olta Xhaçka iu përgjigj me një ftesë që opozitarët t’i bashkohen operacioneve të shpërndarjes së ndihmave për qindra mijëra familje në nevojë.

Dyshimeve të opozitës për përzgjedhjen e kompanisë që aplikoi për 1.5 milionë Euro ushqime, Xhaçka i kujtoi procedurat në rast fatkeqësish gjatë kohës së Partisë Demokratike.

Por deklaratat e ministres së Mbrojtjes nuk bindën opozitën. Enkelejd Alibeaj përsëriti pyetjet që sipas tij nuk morën përgjigje mbi gjetjen e fituesit të tenderit jashtë vendit.

“Pse, mes 35 000 kompanive shqiptare që merren me furnizimin e ushqimeve, zgjodhi për t’i dhënë 1,5 milionë euro, kompanisë së kompjuterave nga Maqedonia? Pse ia dha tenderin një kompanie maqedonase, e cila shtoi si subjekt tregtinë e ushqimeve vetëm 6 ditë para tenderit? Kush fshihet pas kësaj afere? Kush po përfiton në kurriz të njerëzve në nevojë”?

Disa ditë më parë, Alibeaj paralajmeroi një kallëzim penal që do të depozitohej në SPAK për ministren, ndërkohë sot i bën thirrje prokurorëve që të dalin nga karantina dhe të merren me tenderin e ushqimeve.

Tv Klan