Partia Demokratike kërkon largimin e Fatmir Xhafajt nga Komisioni i Reformës në Drejtësi. Opozita thotë se Xhafaj është në konflikt interesi, pasi sipas saj, i vëllai i tij, Agron Xhafaj rezulton të jetë pjesë e një trafiku ndërkombëtar droge, ndaj të cilit demokratët thonë se, ka edhe një kërkesë ekstradimi nga Gjykata e Lartë e Venezuelës.

“Fatmir Xhafaj nuk mund të vazhdojë të jetë më pjesë e këtij Komisioni, aq me tepër ta drejtojë atë. Ai është në konfliktin me të rrezikshëm të interesit dhe i papranueshëm në sytë e çdo qytetari. Komisionit për Reformën në Drejtësi duhet t’i rikthehet menjëherë legjitimiteti me largimin nga drejtimi të vellait të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Agron Xhafaj.”

Opozita thotë se mbrojtja që Kryeministri Rama i bën Fatmir Xhafajt rikonfimon planin e tij për kapjen e drejtësisë. Një ditë më parë edhe ish – Kryeministri Berisha akuzoi kreun e qeverisë se ka mbajtur të fshehur kërkesën e Venezuelës për ekstradim të Agron Xhafajt në këmbim të 1.3 milionë eurove.

Tv Klan