Nishani, Mustafaj, Ruli, Marku e Papa përzgjedhin deputetët

Demokratët nisin në Shtator fushatën elektorale, menjëherë pas përzgjedhjes nga anëtarësia, përmes parimit “një anëtar, një votë” të kandidatëve për deputetë. Në dy mbledhje online të zhvilluara me Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, forumet drejtuese të selisë blu kanë emëruar edhe 5 anëtarët e Komisionit që do të bëjë vlerësimin e kandidatëve në garë.

Mbi 2500 kandidatura të përzgjedhura nga anëtarësia e Partisë Demokratike në rrethe do të kalojnë në filtrin e këtij Komisioni, në përbërje të cilit janë figura si Bujar Nishani, i cili është Kryetar i Këshillit Kombëtar, ish-President i Republikës, dhe ish-ministër.

Dy ish-themelues të Partisë Demokratike, ish-ministrat, ai i Jashtëm dhe i Bujqësisë, Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli janë përzgjedhur nga Kryesia e demokratëve për të qenë pjesë e Komisionit.

Enriketa Papa, pedagoge dhe historiane, njëherazi studiuese e krimeve të komunizmit është pjesë e ekipit që do të filtrojë propozimet e anëtarësisë.

Sakaq emrave të anëtarëve u shtohet edhe ai i Mark Markut, pedagog në Universitetin e Tiranës, njëherazi ish-deputet i Partisë Demokratike. Në ndihmë 5 anëtarëve të komisionit do t’i vijnë edhe dy sekretarët, ai Organizativ, Sahit Dollapi dhe i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli.

Për herë të parë, në Partinë Demokratike përzgjedhja e kandidatëve për deputetë e kryetarë bashkie nuk do të jenë më tagër i kryetarit. 80% e tyre do të propozohen nga anëtarësia dhe 20% nga kryesia.

Sipas Lulzim përmes këtij procesi, kreu i demokratëve thotë se janë identifikuar jo vetëm ata që do të përzgjidhen si kandidatë për deputetë, por edhe drejtues të qeverisjes vendore, këshillave bashkiakë dhe qeverisjes qendrore.

Pasi të kalojnë në filtrin e Komisionit, kandidaturat do t’i kthehen anëtarësisë për t’u votuar përmes parimit “ një anëtar një votë”. Gjithsesi fjala e fundit ne proces i mbetet Kryesisë së Partisë Demokratike.

Tv Klan