Partia Demokratike intensifikon aksionin opozitar, vendos të protestojë më 7 Tetor në orën 18:00 para Kryeministrisë. Protesta atipike u vendos në Këshillin Kombëtar të kësaj force politike, pasi nis simbolikisht para Kryeministrisë, pa fjalime dhe tribuna dhe më pas do të zhvendoset në akset e ndryshme të qytetit duke konkretizuar mosbindjen civile. Lideri i demokratëve pas akuzave të shumta që hodhi në drejtim të qeverisë, tha se 7 tetori do të jetë përgjigja që demokratët do t’i japin kapjes së shtetit dhe sistemit të drejtësisë.

Sali Berisha tha se Edi Rama i ka shpallur disa herë luftë opozitës gjatë 3 viteve të fundit, por me burgosjen e Ervin Salianjit. Ai do të marrë përgjigjen e demokratëve të cilët nuk do të ndalen deri në krijimin e qeverisë teknike dhe realizmin e votës së lirë.

Gjatë takimit me dyer të mbyllura në Këshillin Kombëtar, Flamur Noka kërkoi angazhim maksimal të drejtuesve të degëve duke takuar dhe ftuar njerëzit në protestë dhe jo nëpërmjet mjeteve elektronike pasi Partia Demokratike është në gjendje lufte me qeverinë.

Aksion dhe qëndresë deputetët pritet të zhvillojnë edhe në seancën parlamentare të së hënës pasdite. Gazmend Bardhi do të mbledhë grupin në orën 15:00 për të konkretizuar qëndrimet e tyre ndaj mazhorancës pas burgosjes së deputetit Salianji.

Klan News