Partitë e vogla parlamentare kanë akuzuar diplomatët e akredituar në Tiranë për njëanshmëri dhe si shkaktarë të krizës politike në vend, gjatë një takimi që zhvilluan me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së, për t’u informuar rreth negociatave që dështuan dy ditë më parë.

Nard Ndoka, Kryetar i PDK-së: “Unë i shpreha edhe ambasadorit të OSBE që ai është përgjegjësi kryesor për këtë krizë për faktin se ai është shprehur publikisht një vit përpara që nuk ka kohë për numërimin elektronik, në një kohë që sot thonë ka kohë. Pra ishte një shprehje e papërgjegjshme e tij për të shtyrë mandatin, që kur ka probleme në Shqipëri mandati i OSBE shtyhet.”

E ashpër në komunikimin me ambasadorin Borshard ishte edhe deputetja e PDIU-së, Mesila Doda.

“Unë pata një bisedë jo shumë miqësore me ambasadorin e OSBE, i cili ka deklaruar se mos pjesëmarrja e opozitës do të jetë një problem, por do të jetë një fjali në raportin e OSBE/ODIHR, ndërsa ndryshimi i Kodit dhe kërkesa për të dhënë më shumë transparencë, administrim dhe numërim të gjitha partive parlamentare në zgjedhje, ky po do të ishte një problem shumë i madh dhe ODIHR këtë nuk do ta lejonte. Kinezërira të tilla mendoj se nuk e ndihmojnë procesin dhe na përjashtojnë edhe ne të tjerëve nga ky proces.”

Ndonëse ishin thirrur për t’u informuar rreth negociatave, Nard Ndoka la të kuptohej se qëllimi i vërtetë i ftesës ishte futja në zgjedhje pa opozitën.

“Jo nuk pati një kërkesë të drejtpërdrejtë, pavarësisht se ky është thelbi dhe qëllimi i takimit.  I ngarkuam me përgjegjësi se disa prej tyre kane mbajtur një qëndrim te njëanshëm. Zgjedhje pa opozitën s’ka.”

Por edhe në këtë pikë sipas tij ambasadori Lu dhe ajo e BE-së Vlahutin nuk ishin të unifikuar.

“Aty pati dhe një luhatje mesa vërejtëm ne në aspektin diplomatik. Nuk ka një unifikim mes qëndrimeve të SHBA dhe BE.”

Menjëherë  pas këtij takimi ka reaguar edhe Selia Blu, e cila përmes një deklarate ka akuzuar ambasadoren Vlahutin se ka dezinformuar partitë e vogla parlamentare, sikur Partia Demokratike gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë nuk i pranoi propozimet e tyre dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.

“Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.”

Në deklaratën e shpërndarë nga Partia Demokratike thuhet se pas paraqitjes së propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, opozita paraqiti një kundër-propozim me 3 pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve, por që u refuzua nga kryeministri Rama.

Tv Klan