Marrëveshja me Italinë për emigrantët u miratua me 77 vota pro këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë.

“Projektligj për ratifikimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane për formcimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit. Ky akt kërkon shumicë absolute votash. Votimi është i hapur, hapet votimi. 77 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim”, tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Por duket se numri më i lartë i votave se përbërja në grupin parlamentar të PS-së, ka shkaktuar habinë e Gazment Bardhit që ka kërkuar të dijë kush ka votuar për këtë ligj. Ndërkohë që kryeparlamentarja Lindita Nikolla iu përgjigj se kanë votuar edhe 3 deputetë të PDIU-së.

“Janë edhe 3 zotërinjtë e PDIU-së atje në fund. Ja ktheje kokën dhe mund t’i shikosh”, tha Nikolla.


Mesila Doda, kryetarja e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim”, argumentoi se cili është qëndrimi sa i përket votave pro që deputetët e PDIU dhanë. Sipas saj Italia është një shtet mik që duhet mbështetur në këtë rast.

“Po ka pasur një votim të deputetëve të PDIU pro marrëveshjes me Italinë. Ju kujtoj që është një vendim i Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugën kësaj marrëveshje. Keni parasysh që bëhet fjalë për një shtet mik që është gjendur gjithmonë në momentet tona të vështirësive, në momentet e krizave siç është Italia. Absolutisht nëse kemi mundësinë që mund të ndihmojmë në një problematike të tyren, ne duhet të jemi absolutisht krah tyre. Mos harrojmë dhe një gjë, nuk bëhet fjalë që të mbështetin individë siç mund të jetë Fredi Beleri, ne flasim për një shtet mik i cili na ka mbështetur gjithmonë në rrugën tonë drejt integrimit dhe momentet tona të krizave. Bëhet fjalë për marrëveshjen me Italinë e cila absolutisht që do duhet që të mbështetej nga të gjithë, jemi ne që sa herë kemi pasur nevojë kemi pasur përkrah shtetin italian”.”, u shpreh Doda.

E pyetur sa i përket amnistisë ajo nënvizoi se do duhet parë drafti përfundimtar duke pohuar se nuk e kishte parë ende.

“Do të varet shumë nga shtresat që përfitojnë nga amnistia. Shikoni, ju them vetëm diçka. Parlamenti nuk është që disa njerëz të luftojnë përballë disa të tjerëve. Është që të gjejmë ligjet dhe mundësinë më të mirë për vendin. Nuk mund të jenë disa persona që rrinë aty dhe vetëm të kundërshtojmë, por duhet të kemi mundësi që të themi fjalën tonë dhe të bëjmë akte ligjore që shkojnë në favor të publikut. (Për drafin e amnistisë) Nuk jam në dijeni, do duhet që ta lexoj draftin sepse nuk kemi akoma një draft përfundimtar dhe unë nuk e kam pasur”, tha Doda.


Ndërkohë opozita ka vijuar me protestën e saj duke vendosur zhurmues në Kuvend dhe duke bllokuar foltoren.

Ky vendim Kuvendit shqiptar, por edhe miratimi më herët në Senatin italian, i hap rrugë zbatimit të marrëveshjes mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni të nënshkruar me 6 Nëntor. Në këtë mënyrë planifikohet ardhja e 3 mijë refugjatëve në vendin tonë, të cilët shpëtohen nga forcat detare italiane në ujërat e Mesdheut.

Ata do të strehohen në kampin që do të ngrihet në ish-bazën ushtarake ajrore të Gjadrit, pas regjistrimit në zyrën e posaçme të ngritur në portin e Shëngjinit ku do të zbresin nga anijet me të cilat do t’i sjellin autoritetet italiane.

Kampi do të ndërtohet dhe drejtohet nga qeveria italiane. 16.5 milionë Euro është shuma fillestare që do të japë Roma si rimbursim për vitin e parë të aplikimit të marrëveshjes.

Ligji autorizon shpenzime për vitin 2024 për ngritjen e strukturave të nevojshme, që arrijnë në rreth 47.7 milionë Euro. Po ashtu është krijuar një fond prej 89.1 milionë Euro për këtë vit dhe 118.5 milionë Euro për secilin nga vitet 2025-2028.

Për këtë marrëveshje është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese. Ajo rrëzoi me 5 vota kundër dhe 4 pro kërkesën e 30 deputetëve demokratë që kërkonin shpalljen e marrëveshjes për azilkërkuesit me Italinë si antikushtetuese, çka i hapi rrugën ratifikimit të saj në parlament. (Lexo më shumë)

Megjithatë duke sqaruar vendimin, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, u shpreh se shteti shqiptar ka përgjegjësi në lidhje me zonat që do t’i jepen në administrim shtetit italian. Zaçaj theksoi se juridiksioni shqiptar aty është i pamohueshëm dhe vjen nga Kushtetuta ku shteti shqiptar ka detyrimin për të qenë përgjegjës për zbatimin e të drejtave kushtetuese, por edhe vetë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (Lexo më shumë)./tvklan.al