Shoqata “Çamëria” dhe Partia, Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë dalë sot në një protestë përpara Ministrisë së Jashtme, në shenjë kundërshtimi ndaj vizitës së Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Por protestuesit u përballën me policinë e cila kishte rrethuar institucionin e Ministrisë dhe e cilësoi tubimin të paligjshëm. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi u shpreh se “është për të të ardhur keq për këtë situatë këtu, për këtë shtetrrethim të bërë nga policia e Shqipërisë. Është totalisht një veprim i paarsyeshëm.”

“Jemi në Shqipëri apo jemi në Greqi? Nuk lejohemi për të bërë një prostestë paqësore për t’i kujtuar Ministrit të Jashtëm grek kur do heqin ligjin e Luftës me Shqipërinë, sepse këtu po bëhet një situatë lufte. Kur do të kërkojnë falje për tragjedinë mbi shqiptarët e Çamërisë, mbi okupimin e Çamërisë, mbi të drejtat e tyre dhe për shumë çështje”.

Idrizi akuzoi Kryeministrin Edi Rama se është shndërruar në Kalin e Trojës së Greqisë dhe se ka fshehur axhendën shqiptare në krahasim me Greqinë.

“Pse jam i detyruar t’i kujtoj eunukut që kemi vënë këtu, t’i kujtoj Edi Ramës që e filloi këtë punë duke bërë një rezolutë për shqiptarët e Çamërisë që do dilte 1 herë 6 muaj, që do të raportonte në parlament dhe që betohej më shumë sesa ne te kopshti i basketbollit për çështjen çame. Dhe na u kthye nga kalorësi i Çamërisë, në Kalin e Trojës i Greqisë. Sigurisht që ne nuk ka forcë që të na mbajë dhe ne jemi në gjithë të drejtën tonë që të protestojmë. Sepse qeveria shqiptare ka fshehur axhendën shqiptare në krahasim me Greqinë. Sot ka avancuar vetëm axhenda greke”.

Sipas protestuesve, vizita e Dendias nuk parashikon asnjë nga çështjet që shqetësojnë shqiptarët, por çon përpara axhendën greke. “I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh axhendën e BE, e shprehur nga ish-komisioneri Hahn, e cila përcakton si çështje: Zgjidhjen çështjes çame. Heqjen e ligjit të luftës. Marrëveshjen e detit”, thuhet në një reagim të PDIU.

“Kufijtë tokësorë dhe detarë të Shqipërisë janë të njohura që në 1913, 1925, 1926-n dhe askush nuk mund të fali det apo tokë, kushdo që i thotë vetes patriotë. Problemet me Greqinë zgjidhen vetëm me dinjitet, reciprocitet dhe dije. Shqipëria nuk ka më as det, as tokë për të falur”, theksohet në reagim./tvklan.al