Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u ka dërguar sot ftesë krerëve të partive politike, për një tryezë diskutimi.

Në një komunikatë për media nga PDK-ja, thuhet se qëllim i këtij takimi është rritja e konsensusit politik për agjendën shtetërore të Republikës së Kosovës.

Kreu i PDK-së, Veseli ka propozuar që të diskutohet për çështjet me prioritet për vendin, me theks të veçantë për fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, agjendën e integrimeve evropiane, formimin e Ushtrisë së Kosovës si dhe reformën zgjedhore.

Takimi i thirrur thuhet se do të mbahet të martën, më 8 maj, nga ora 13:00, në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari Veseli, ditë me parë, ka prezantuar edhe propozim-platformën për konsensus rreth këtyre temave.

Por, dy nga partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë se propozimi i Veselit për të krijuar unitet është dëshmi e pafuqisë së koalicionit qeverisës për t’u marrë me tema të mëdha./REL