Akuza Albin Kurtit se po përhap panik për të ruajtur pushtetin e tij

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku kërkon koordinim me aleatët që para 1 Shtatorit kur fillon së zbatuari reciprociteti ndaj Beogradit.

“Është pjesë e marrëveshjes së Brukselit vendosja e reciprocitetit të pjesshëm në targat dhe kartat e identitetit, megjithatë çdo hap duhet të jetë i koordinuar ngushtë. Ka mbetur më pak se një muaj dhe unë po shpresoj që gjatë kësaj periudhe do ketë një koordinim të plotë me NATO-n dhe aleatët tanë në mënyrë që 1 Shtatori të na gjejë duke implementuar marrëveshjet, pa prodhuar kriza artificiale”.

Sipas saj deklarata e kryeministrit Albin Kurti, se mund të këtë luftë pas zhvillimeve në veri, kanë shkaktuar shumë panik, huti e paqartësi te banorët kosovarë.

“Një kryeministërnëse është serioz në atë çfarë thotë, kur bën paralajmërime  për luftë nuk i bën ato nga plazhet e Greqisë e as nga koncertet. Kryeministri fton mobilizim, i drejtohet popullit, qytetarëve dhe sqaron situatën”.

Çitaku thotë se në këtë fazë duhet të insistohet në marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila ka njohjen reciproke në qendër e jo të këtë status quo, ngase kjo shkon në favor të destabilizimit rajonal.

“E dimë shumë mirë që mirëbajtja e status quo-së shkon në favor të forcave destruktive në rajon dhe më gjerë”.

Për Çitakun, nëse ka paralajmërime për luftë në veri, kryeministri Kurti duhet t’i bëjë publike ato për popullatën dhe t’i denoncojë përpara partnerëve ndërkombëtarë.

Klan News