“Nuk pranoi që asetet e ushtrisë t’i përdorë policia”

Ministri i FSK-së Armend Mehaj kishte kërkuar nga ish komandanti i FSK-së Rrahman Rama që ti marrë asetet e ushtrisë për ti shfrytëzuar për operacione policore për çka ky i fundit kishte refuzuar.

Kështu shkruan në një status në Facebook nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku e cila dorëheqjen e Ramës e ndërlidh me këtë rast për të cilin akuzon ministrin Mehaj se ka shkelur rëndë ligjin.

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA thotë se kjo kërkesë ka qenë në kundërshtim me marrëveshjen e SHBA-së e cila i kishte dhënë donacion këto asete, për çka kishte pasur reagim të ashpër të SHBA-së.

Asnjë fjale e as arsye nuk është dhënë publikisht për dorëheqjen e Ramës. Anëtarja e kryesisë së PDK-së Besa Kabashi kërkon nga qeveria aktuale transparencë ndërsa thotë se kjo qeverisje është duke prekur në strukturat e rëndësishme të vendit.

“Me ardhjen e qeverisë së re në pushtet ka pasur ndryshime të mëdha në struktura të rëndësishme të shtetit si në AKI, KQZ  e tash në FSK. Shenjat tregojnë që ka pasur influencë. Edhe mënyra se si u bart detyra ishte shumë jo e zakonshme”.

Konsideron se jostabiliteti politik gjithmonë ka qenë kërcënimi më serioz për sigurinë e brendshme të vendit.

“Kjo është edhe një hap më tutje është njëfarë forme kërcënim i strukturave kyçe të vendit. Nëse ka influencë nga çfarëdo qeverisje që vjen në pushtet ajo është influencë politike të cilat nuk guxojnë të jenë politike. Nuk është spekulim të themi se kjo qeverisje është duke prekur në strukturat e rëndësishme të vendit”.

Një ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga posti i komandantit të FSK-së Rrahman Rama, presidentja menjëherë kishte emëruar në vend të tij Bashkim Jasharin ndërsa gjatë së mërkurës pa praninë e mediave është bërë edhe pranimdorëzimi i detyrës.

Tv Klan