“Nuk ka shumë ndryshime nga raporti i kaluar”

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian diskutoi këtë të Enjte për projekt rezolutën për Shqipërinë. Gjatë prezantimit të saj, raportuesja për vendin tonë në Parlamentin Europian, Isabel Santos theksoi se situata nuk ka ndryshuar shumë nga raporti i kaluar, ai i muajit Tetor.

“Nuk ka ndryshime thelbësore nga raporti i kaluar. Pikëpamjet tona s’kanë ndryshuar nga ato që kemi thënë më parë…”

Santos vlerëson arritjet e mëdha të Shqipërisë me procesin e reformave, të cilat janë kryer edhe në kushtet e vështira të dy krizave që ka kaluar vendi, atë të tërmeteve të vitit të kaluar dhe të pandemisë së Covid-19. Por ajo rikujton se duhen përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave. Rëndësi i jep edhe marrëveshjes së 5 Qershorit.

“Të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Reforma në gjyqësor duhet të përfundohet. Të gjitha forcat politike duhet të përfshihen në normalizimin e jetës politike të polarizuar në vend. Duhet të ruhet marrëveshja e 5 qershorit në të mirë të vendit për të pasur sa më shumë përfitime për popullin shqiptar”.

Përfaqësuesi i Partive Popullore Europiane, David Lega, shprehet se Shqipëria e ka merituar progresin e deri tanishëm, por nevojitet përmbushja e 15 kushteve për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave.

:Nuk mund të na bëni për budallenj. Do të vazhdojmë të shqyrtojmë me kujdes implementimin e reformave që kërkojmë. Për Shembull struktura e re e prokurorisë anti-korrupsion SPAK është shumë premtuese por na duhet të shohim po ashtu edhe rezultate”.

Draft-rezoluta pritet të miratohet në seancën e radhës të Parlamentit Europian.

Tv Klan