Bisedimet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Europian mund të pezullohen. Parlamenti Europian miratoi një rezolute ku i kërkon Brukselit të ndalojë zyrtarisht negociatat me Ankaranë nëse vihet në zbatim paketa reformave kushtetuese, e votuar në referendumin e 16 Prillit.

Përmes kësaj reforme presidenti Rexhep Taip Erdoan merr fuqi të plotë, dobëson rolin e parlamentit dhe zgjat edhe për dy mandate të tjerë pushtetin e tij në krye të vendit, deri në vitin 2029. Liderët europianë po ndjekin një linjë të kujdesshme, për të mos rrezikuar marrëveshjen e emigrantëve me Turqinë.

Kjo e fundit është e palëkundur nga reformat e brendshme dhe ka kërcënuar disa herë së do ta anulojë dhe do të mbushë Europën me emigrantë nëse nuk respektohen kushtet. Brukesli e ka kritikuar vendimin e presidentit turk për të fuqizuar pushtetin, duke e akuzuar për autoritarizëm dhe shtypje të zërave kundër.

Kryeministri turk Binali Jëlldërëm e ka cilësuar si nul vendimin e parlamentit Europian, duke thënë se ajo çka ka rëndësi për Ankaranë është mendimi i liderëve europianë dhe jo europarlamentarëve.

Ndërkohë në Turqi vijojnë arrestimet e kritikëve të pushtetit dhe aktivistëve. 8 persona u vunë në pranga në Stamboll, mes tyre aktivistë të huaj pët të drejtat e njeriut dhe shefja e Amnisty International për Turqinë.

Tv Klan