Më 1 Janar 2024 hiqen vizat për Kosovën, eurodeputetët i japin dritën jeshile


Më 1 Janar 2024 hiqen vizat për Kosovën, eurodeputetët i japin dritën jeshile

11:53 18/04/2023

Lëvizja e lirë për shtetasit e Kosovës në zonën Shengen për 90 ditë qëndrimi në çdo periudhë 180 ditore do të nisë nga data 1 Janar e vitit 2024. Ky vendim u mor me shumicë absolute votash nga eurodeputetët në Strasburg në seancë plenare të cilët miratuan raportin e eurodeputetit holandez Thijs Reuten.

Ky ishte edhe votimi përfundimtar për heqjen e vizave afatshkurtra për shtetasit kosovarë i marrë nga institucionet evropiane. Tashmë pritet nënshkrimi i aktit ligjor për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë nga presidentja e PE-së Roberta Metsola dhe presidenca suedeze e BE-së.

Pas kësaj, hapi i fundit është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij më datë 1 Janar të vitit 2024. Parlamenti Evropian ka mbështetur liberalizimin e vizave me Kosovën që nga viti 2016, pasi Komisioni Evropian deklaroi se Kosova i përmbushte kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Pengesë deri tani që ky vendim të merrte formën përfundimtare kanë qenë shtete si Franca dhe Holanda me justifikim e numrit të lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria që lëvizën drejt këtyre shteteve menjëherë pas liberalizimit të lëvizjes me pasaporta biometrike.

Kosova është aktualisht e vetmja pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon udhëtime pa viza për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen. Vendimi i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe të shteteve të tjera të rajonit për qëndrim afatshkurtër 90 ditor në çdo periudhë 180 ditore në zonën Shengen hyri në fuqi më 15 Dhjetor të vitit 2010.

Klan News









Të ngjashme