PE, në bllok kundër refuzimit të negociatave me Tiranën dhe Shkupin

Posta

PE, në bllok kundër refuzimit të negociatave me Tiranën dhe Shkupin

15:31 22/10/2019

“Po importojmë destabilitet në Ballkan”

Vendimi i liderëve të unionit për të shtyrë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e Këshillit Europian të 17 dhe 18 Tetorit shkaktoi reagime te forta këtë të martë në Parlamentin Europian. Presidenti në detyrë i Këshillit Europian, Donald Tusk e konsideroi vendimin, “një gabim”.

“Mendoj se ky ishte një gabim. Tani unë vetëm mund të shpresoj që të arrijnë në përfundimet e duhura kur të diskutojnë procesin e anëtarësimit para samitit të Zagrebit në Maj 2020.”

Ndërsa për kreun në detyrë të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, BE dështoi në mbajtjen e premtimit duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj.

Jam shumë i zhgënjyer nga mungesa e vendimit të Këshillit të BE-së. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kishin të drejtën për të nisur negociatat. Është një gabim i qartë që Bashkimi Europian nuk i hapi negociatat për këto dy vende. Nëse nuk respekton premtimet që jep, askush nuk do të në respektojë nëpër botë.”

Edhe drejtuesja e grupit parlamentar socialdemokrat shprehu keqardhjen për mos-hapjen e negociatave.

“E konsideroj shumë të gabuar mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Natyrisht është një rrugë e gjatë me reforma, por vendimi do u jepte një dritë shprese të dy vendeve dhe do thotë stabilitet për rajonin edhe vetë BE-në”, tha Iratxe Garcia Perez, kryetare e grupit socialdemokrat në PE.

Edhe më i ashpër ishte kreu i Partisë Popullore Europiane, Manfred Weber.

“Ndodhemi përpara dilemës nëse eksportojmë stabilitet në Ballkan apo importojmë destabilitet nga Ballkani në Europë. Dhe javën e kaluar pati një dështim të rëndë të Komisionit Europian në këtë çështje historike. Këto vende i kemi ngarkuar shumë. Sidomos Maqedoninë e Veriut që iu desh me shumë mundim të ndryshonte emrin shtetëror për të hapur negociatat. Kurse tani i mbyllim dyert. Kjo përbën një humbje të rëndë besimi.”

Weber bëri po ashtu përgjegjëse aleancën e liberalëve dhe demokratëve ku bëjnë pjesë Presidenti francez Macron dhe kryeministri holandez Mark Rute si frenuese të hapjes së negociatave.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT