Një delegacion i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian do të mbërrijë të mërkurën në Tiranë për t’u informuar në detaje mbi situatën e re në të cilën është futur vendi, pas dorëzimit të mandateve parlamentare të opozitës dhe hapat që priten të merren në vijim.

Ky delegacioni përbëhet nga deputetë të grupimeve të ndryshme politike të Parlamentit Europian. Grupimi i Partive Popullore (EPP) përfaqësohet nga Cristian Dan Preda dhe Tunne Kellan.

Grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) përfaqësohet nga raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein dhe Juan Fernando Lopez Aguilar.

Grupimi i Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE) përfaqësohet nga Ilhan Kyuchyuk. Grupimi i gjelbër (The Greens) nga Tamas Mezcerics. Grupimi i konservatorëve dhe reformistëve (ECR) do të përfaqësohet nga Bas Belder dhe grupimi i Europës së Kombeve dhe Lirive (ENF) Jean-Luc Schaffhausser.

Në fillim mësohet se delegacioni i Parlamentit Europian do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Më pas takimet vijojnë me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Punëve të Jashtme në detyrë, Gent Cakaj.

Delegacioni do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, si dhe dy përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa nuk përjashtohen takimet me Ministrin e Brendshëm dhe Ministren e Drejtësisë.

Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein deklaroi një ditë më parë se vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet është një pengesë serioze në funksionimin e demokracisë në Shqipëri, se ai është kundërproduktiv dhe minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Fleckenstein, sikundër edhe Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn dhe kryediplomatja Federica Mogherini kanë kërkuar që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive për të kapërcyer situatën, në të mirë të vendit.

Tv Klan