Delegacioni i Parlamentit Europian që vëzhgoi zgjedhjet në Shqipëri thotë se procesi përmbushi kriteret politike pavarësisht problemeve teknike apo parregullsive që u raportuan nga misioni i OSBE-ODHIR.

“Thënë shkurt, ne konsiderojmë se OSBE-ODHIR nuk e vë theksin mjaftueshëm në kontekstin politik të zhvillimit të zgjedhjeve”,

tha eurodeputeti Eduard Kukan.

“Vëzhguesit kishin konstatuar parregullsi në disa zona votimi dhe për këtë i gjithë procesi mund të binte poshtë. Ndërkohë, ne pamë që zgjedhjet u zhvilluan normalisht”,

deklaroi eurodeputeti Klaus Buchner.

Për eurodeputetët, moskontestimi i zgjedhjeve dhe mungesa e ngërçeve të mëtejshme politike tregon për një fazë të re ku duhet  të futet vendi.

“Fakti që nuk pati kontestim apo bllokim tregon që ka një rikthim të normalitetit demokratik në Shqipëri. Tani duhen vijuar reformat, por shpresojmë në hapjen e negociatave të anëtarësimit, pasi tashmë nuk ka kuptim që kjo të shtyhet sërish

”, theksoi Christian Dan Preda, eurodeputet.

“Duhet theksuar, se rekomandimet e OSBE/ODHIR për procesin zgjedhor e kryesisht për depolitizimin e administratës zgjedhore nuk janë zbatuar. Tashmë është detyrë e të gjitha partive politike që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në Parlamentin e ri. Qeveria e re duhet të ecë përpara me reformat e integrimit veçanërisht me zbatimin e reformës së gjyqësorit dhe procesit të Vettingut”

, u shpreh Kukan.

Gjatë diskutimit, eurodeputetët janë shprehur se Bashkimi Europian duhet të angazhohet më shumë në procesin e integrimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. TV KLAN