“Nuk ndalemi derisa të marrim përgjigje nga qeveria”

Pedagogët kanë vendosur të bojkotojnë vitin e ri akademik.

Ditën e hënë nga ora 10:00-12:00 stafi akademik do dalë përballë secilit fakultet për të kërkuar përgjigje për kërkesat e tyre, kryesore mbetet rritja e pagave me 30% këtë vit dhe 20% vitin e ardhshëm.

“Data 17 përsëritet me 18, me 19 e kështu me radhë derisa të marrim përgjigje nga ana e qeverisë”, thotë Sandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Universiteteve.

Për pedagogët vendimi i qeverisë për rritje të pagave me 15 % nuk është i pranueshëm.

“Jetojmë në një shoqëri ku pedagogut, mua më kërkohet të publikoj artikuj shkencor që janë më shumë se rroga ime”, thotë një pedagog.

“Nuk mund të punojmë me rroga anemike”, shprehet një tjetër.

“Jemi vendi i fundit në Europë për pagat e pedagogut, jo vetëm më poshtë se Kosova por edhe Bosnje-Hercegovina”, shton një tjetër pedagog.

“Ka ardhur koha të mos të themi ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, po ta bëjmë Shqipërinë si Kosova”, shprehet një tjetër.

Në protestën e kësaj të premteje, një pjesë e studentëve kanë kërkuar t’i bashkohen kauzës.

“Ne kemi firmosur një peticion me mbi 6200 firma ku kemi kërkuar 100 Euro rimbursim pasi kostot e jetesës janë rritur, po kërkojmë standardet e Kosovës”, deklaron një student.

Kjo fundjavë është edhe afati i fundit i vendosur për qeverisë para nisjes së bojkotit. Në të kundërt në ditën e parë të vitit akademik nga ora 08-10:00 do bëhet vetëm prezantimi me studentët e rinj. Pas orës 10:00 nisin protestat.

Tv Klan