Pedagogët e Fakultetit të Histori-Filologjisë do të vijojnë grevën e tyre këtë javë, të cilët kërkojnë rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Ndërsa nga java e ardhshme, do të rifillojë mësimi. Ky ka qenë vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të këtij Fakulteti, që u bë me dije nga vet Dekani Sabri Laçi.

Në një komunikim për mediat në ambientet e fakultetit, Dekani sqaroi se nga java tjetër, greva do të vazhdojë njëherë në javë deri sa të arrihet qëllimi i tyre, të ndryshohet ligji i arsimit të lartë.

“U vendos që kjo javë të jetë protestë. Ne do ta përvijojmë këtë formë proteste në javët që vijnë dhe do të vijojë deri sa të kemi gjetur përgjigje. Problematika për ligjin është e njëjta. Ne kemi shprehur rezervat tona”

, tha Dekani.

Sipas tij, në këtë fakultet vazhdon njëkohësisht edhe protesta e studentëve, që sipas tij, janë të ndarë në dy kampe.

“Studentët kanë protestën e tyre. Janë të ndarë në kategori. Ka një pjesë që vazhdojnë me këmbëngulje protestën dhe qëndrojnë stoik. Ne i kemi të lavdërueshëm studentët tanë sa i përket sjelljes pa krijuar asnjë incident. Ka një kategori studentësh që dëshirojnë të bëjnë mësim”

, u shpreh Dekani Sabri Laçi.

/tvklan.al