Pedagogët kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme, ku paraqesin kushtet që i kanë drejtuar Ministrisë së Arsimit. Një nga kërkesat e tyre është dhe rritja e pagës për pedagogët me 30 për qind këtë vit dhe 20 për qind vitin tjetër.

Sjellim në vëmendje se ditë më parë, qeveria pas shqyrtimit të kërkesave të pedagogëve ka njoftuar se do të rrisë me 7 për qind pagat, ndërsa universiteti do të paguajë 8 për qind për rritjen e pagave të pedagogëve.

Ky vendim nuk është mirëpritur nga pedagogët të cilët kanë dalë dhe sot në protestë duke iu dhënë zë kërkesave të tyre.

Sandër Kovaçi: Mund të them me plot gojën, këto njerëz që janë këtu, do i konsideroja yjet e protestës për një qëndrim të arsimit të lartë publik. Sqaroj se ne kemi kërkuar një rritje 30 për qind sivjet dhe 20 për qind vitin e ardhshëm duke u nisur nga kushtet në vend. Duke u nisur nga kriza ekonomike e kemi zbritur kërkesën duke qenë solidarë me këtë situatë. Kemi qenë konsistentë në kërkesat tona, janë të përsëritura dhe të modeluara në sajë të situatës.

Pedagogu Sandër Kovaçi ka bërë një krahasim të pagave të asistenëve dhe pedagogëve të universiteteve tona me ato të Kosovës.

Sandër Kovaçi: Një asistent në universitet pavarësisht se kërkohet me rezultate të larta, paguhet me 595 mijë lekë të vjetra. Shifra maksimale 960 mijë lekë të vjetra për profesorin. Ta krahasojmë me Kosovën, ai që është 500 mijë lekë të vjetra këtu, në Kosovë është 900 euro. Ai që është 960 mijë lekë këtu, në Kosovë është  1516 euro. Ka ardhur koha të mos themi ta bëjmë Shqipërinë si Europa, por si Kosova.

Kërkimet shkencore pa investime nga shteti ka qenë një ndër pikat për të cilat ka ngritur shqetësim pedagogu Kovaçi.

Sandër Kovaçi: Se mund të ketë kërkime shkencore pa investim, vetëm këtu bëhet diçka e tillë. Është një situatë qesharake se si mund të bësh doktoraturë pa shpenzim nga shteti, unë i quaj heronj ato që arrijnë të nxjerrin një doktoraturë.

Gjatë fjalës së tij, pedagogu Kovaçi ngre pyetjen se si do t’i paguajnë 8 për qind universitetet si rritje për pagën e pedagogëve.

Sandër Kovaçi: Kjo lëvizje është e thjeshtë në pastërtinë e jashtëzakonshme për të ndryshuar diçka. Nëpër këmbë kemi dhe nga ato që nuk e duan që këto të rinj të rrijnë të shtypur dhe pedagogu është viktimë e kësaj situate e presioneve nga më të ndryshmet.  Ju bëj thirrje rektorëve: Ku e kemi këtë 8 për qind në universitet për të rritur pagat? Shkoni në tualetet e universitetit, nuk ka ujë, nuk ka letra. Ne paguhemi 2 rroga në kurriz të tyre, a janë gati studentët që në kurriz të tyre të paguhen dhe 3 rroga të tjera? Ku janë këto? Nuk ekzistojnë./tvklan.al