PejeDy persona kanë mbetur të vdekur dhe 7 të tjerë janë plagosur pasdite në qytetin e Pejës, në perëndim të Kosovës, pas një atentati me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15.40 në afërsi të një hoteli, në rrugën që të çon për në Deçan. Siç bëjnë me dije mediat e këtij vendi, njëri prej viktimave, 28-vjeçari Valdet Kelmendi, i njohur edhe me nofkën “Lara”, ka qënë objektivi i sulmit, në të cilin është vrarë edhe një kalimtar i rastit.

Po ashtu mediat kosovare theksojnë se kjo ngjarje ka lidhje me disa krime të tjera për hakmarrje të ndodhura më parë në Pejë. Të plagosurit, sipas burimeve zyrtare të policisë, janë dërguar të gjithë në spitalin e qytetit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Forcat e rendit gjetën disa minuta më vonë një autoveturë të djegur, në një fshat 10 kilometra pranë këtij qyteti, mjet në të cilin mendohet se kanë qenë atentatorët. Policia bën me dije se po heton intensivisht për identifikimin e tyre dhe për motivin konkret të ngjarjes.