Forca të shumta ushtarake dhe qindra tanke janë grumbulluar brenda një stadiumi në Kinë, 7 kilometra larg kufirit të Hong Kongut. Ushtria kineze ka deklaruar se mund të arrijë në Hong Kong brenda 10 minutave dhe të shtypë demonstratën që vijon prej disa javësh dhe ka paralizuar vendin. Mijëra trupa ushtarake kineze janë parë duke u stërvitur gjatë dy ditëve të fundit.

Në fundjavë, demonstruesit në Hong Kong kanë paralajmëruar se po përgatiten për protesta më të mëdha. Qëllimi i demonstruesve është të tregojnë se kanë ende mbështetje të madhe në popull. Kina i etiketon protestuesit si “të ngjashëm me terroristët”, por regjimi komunist zyrtarisht nuk ka paralajmëruar se do të përdorë ushtrinë, sikurse bëri në vitin 1989 kundër protestuesve pro-demokracisë në Pekin.

Megjithatë, ekspertët dhe analistët e shohin vendosjen e ushtrisë pranë kufirit si një shenjë force nga ana e Kinës, e cila kërkon të tregojë se ka aftësinë për të shtypur demonstratat.

Hong Kongu dikur ka qenë koloni e Britanisë. Tani është pjesë e Kinës mirëpo ka më shumë autonomi, meqë funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”. Protestat e fuqishme nisën kundër një ligji të propozuar për ekstradim, që më pas u pezullua. /tvklan.al