Peleshi në Letoni: Do të vijojmë kontributin në misionin e NATO-s në veri të Evropës




Peleshi në Letoni: Do të vijojmë kontributin në misionin e NATO-s në veri të Evropës

09:12 05/06/2021

Pas vizitës zyrtare në Estoni, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi me ftesë të homologut të tij Artis Pabriks, vijoi vizitën në Letoni. Dy delegacionet zhvilluan një takim miqësor, në të cilin patën mundësinë të ndanin mendimet dhe idetë e tyre për të zhvilluar dhe intensifikuar më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ku interes të veçantë përbëjnë fushat e arsimimit ushtarak dhe komunikimit strategjik.

Peleshi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vijueshme që Letonia i ka dhënë Shqipërisë jo vetëm gjatë procesit të anëtarësimit në NATO, por edhe në përpjekjet që vendi ynë po bën për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Të dy ministrat vlerësuan kontributet respektive në angazhimet në kuadër të Aleancës si edhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur vendimet dhe angazhimet që priten të konfirmohen në Samitin e NATO-s në Bruksel.

Ministri i Mbrojtjes rikonfirmoi vijimin e prezencës me një togë EOD në Camp Adazi, në kuadër të misionit të NATO-s “enhanced Forward Presence”. Ai falenderoi ministrin Pabriks për të gjithë mbështetjen që pala letoneze i siguron kontingjentit shqiptar, në mënyrë te veçantë gjatë ngjarjes tragjike të ndodhur dy vite më parë ku humbën jetën dy ushtarakë shqiptarë.

Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, Peleshi udhëtoi për në Camp Adazi ku u takua me zyrtarët ushtarakë letonezë dhe drejtuesit kanadezë të grup-batalionit. Në takimin me kontingjentin shqiptar, ministri përgëzoi personelin e FARSH në misionin “enhanced Forward Presence” për kontributin në mbrojtjen kolektive, profesionalizmin e tyre si edhe për vlerësimin e lartë që ata kanë tek kolegët e vendeve partnere.

Ministri i Mbrojtjes vendosi një kurorë me lule në memorialin e dëshmorëve të atdheut, major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj, të cilët ranë në krye të detyrës dy vjet më parë./tvklan.al





Të ngjashme