Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën me dije se është përmirësuar situata në disa vatra në territorin e vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Peleshi njofton se është bërë e mundur fikja e zjarrit në drejtim të Kreshpanit, në masivin me ullishte dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH.

Ndërkohë po vazhdon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve në masivin pyjor Plyk- Kraps-Gjorkos. Në fshatin Hekal, në Mallakastër situata është nën kontroll dhe po izolohet edhe vatra e fundit aktive. Po vijon operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Vlorë.

Është arritur të izolohet plotësisht zjarri në malin e Gjallicës në Njësinë administrative Shtiqen, në Kukës.

Ministri Peleshi thotë se e vështirë është puna e forcave të emergjencave për shkak të terrenit në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj teksa shton se përhapja e zjarrit është e dobët, pasi zjarri ndodhet mes dy zallishteve.

Po ashtu janë vënë tërësisht nën kontroll flakët dhe vatrat në fshatin Mandaj, në njësinë administrative Helmas në Kavajë./tvklan.al