Qeveria vendosi pas shumë debatesh përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar të inputeve në sektorin e bujqësisë. Synimi kryesor i kësaj mase është ulja e kontrabandës, e cila konsiderohet në nivele të larta nga vetë autoritetet shtetërore, por po ashtu edhe nxitja për trajtimin me plehra kimikë të prodhimeve bujqësore.

Nisma hyn në fuqi në datën 1 Janar, ndaj ministri i Bujqësisë Niko Peleshi u kërkoi importuesve dhe tregtarëve të lëndëve të para në këtë sektor që të reflektojnë sa më parë këtë përjashtim në uljen e çmimit.

Nëse heqja e TVSH-së për farat, fidanët, plehrat kimikë dhe pesticidet nuk do të ulë çmimin e tyre, por do të shkojë si fitim në xhepat e grosistëve, qeveria do të rikthejë taksimin.

Shqipëria ishte vendi i vetëm në rajon që tatonte me 20% inputet në sektorin e bujqësisë, por që nga janari i vitit të ardhshëm është i pari shtet që ka TVSH-në më të ulët për këtë kategori. Deri më sot janë importuar vetëm 16% e nevojës potenciale që ka tregu ynë për plehra kimikë dhe pesticide, çka lë të hapur dyshime se 84% e tyre kanë hyrë kontrabandë ose mostrajtim i produkteve bujqësore.

Tv Klan