“Kujdesi mbetet i njëjtë deri në marrjen e dozës së dytë”

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero është ndër të parët që ka injektuar vaksinën anticovid. Dy ditë më pas ai tregon se nuk ka asnjë shqetësim.

“E quaj veten me fat që nuk e kam kaluar deri tani dhe e quaj veten të privilegjuar që u vaksinova ndër të parët për të mos u infektuar. Nuk kam ndonjë shqetësim veçse një dhimbje të lehtë në vendin e aplikimit dhe tani që e prek e ndjej një dhimbje të lehtë. Shenja të tjera nuk kam patur”.

Deri në imunizimin me dozën e dytë, kujdesi për ata që kanë bërë vaksinën duhet të jetë maksimal.

“Kujdesi i njëjtë, maskën, distancën, deri sa të marrim dozën e dyte jemi po aq të pambrojtur sa ata që nuk e kanë injektuar vaksinën dhe pse pas 14 ditësh fillon imuniteti, por imuniteti i sigurt nis pas dozës së dytë”.

Pyetjes në duhet ta bëjnë apo jo vaksinën ata që e kanë kaluar covidin, Pipero thotë jo.

“Mendoj që një person që e ka kaluar Covid-19 që ka antitrupa mjaftueshëm, nuk ka arsye ta bëjë vaksinën, nuk e ka të nevojshme edhe pse nuk është e dëmshme”.

E ndërsa vazhdon detyrën e tij të përditshme në spitalin Covid 1, na informon se situata në javët e fundit është e qetë. Ka më pak të shtruar e më pak raste të rënda.

Tv Klan