500 pemë të reja janë mbjellë përgjatë rrugës dytësorë Tiranë- Kashar nga bashkia e Tiranës. Për kryebashkiakun Veliaj çdo pemë e re ndihmon në uljen e nivelit të ndotjes në Tiranë.

 “Një rrugë, e cila konsumon një pjesë të madhe të ndotjes, për arsye pune të njerëzve që transportojnë mallra dhe që kanë gjithë bizneset në zonën Tiranë-Kashar, ka nevojë që për çdo makinë që kalon këtu, të kemi një pemë. Besoj se miqtë tanë me një përgjegjshmëri sociale të jashtëzakonshme na kanë ndihmuar me kënde lojërash, me çerdhe, kopshte, tani me 500 pemë të reja; janë donatorë përsëritës, pra çdo vit e rrisin kontributin e tyre”.

Kryebashkiaku i bëri thirrje qytetarëve, bizneseve dhe çdo kujt tjetër që të shfrytëzojë ditët që kanë mbetur dhe të dhurojnë pemë për të patur një qytet më të mirë nesër.

 “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që të mbjellin pemë pas shirave që na ndihmuan sepse toka është ideale. Kush e ka lënë për në fund këtë punë, këto janë ditët, ndaj për të gjithë qytetarët që kanë kontribuar, qofshin kompani, biznese, shoqata, administratorë pallati, grupe banorësh apo edhe familjarë që e kanë bërë këtë për një ditëlindje apo për të kujtuar të afërmit e tyre, ky është momenti”.

Tejkalimi i rekordit prej 100 mijë pemë të reja për këtë sezon është synimi i bashkisë së Tiranës.

Tv Klan