Pence mirëpret nismën për bllokimin e fitores së Biden



Pence mirëpret nismën për bllokimin e fitores së Biden

19:20 03/01/2021

11 senatorë kërkojnë kontroll nga Kongresi

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka mirëpritur nismën e një grupi senatorësh republikanë për të refuzuar vërtetimin e fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden në datën 6 Janar.

Të shtunën, shefi i stafit të tij, Marc Short tha se Pence ndan të njëjtin vlerësim me ato që ai i quajti “shqetësimet e miliona amerikanëve në lidhje me mashtrimet dhe parregullsitë ne zgjedhjet e 3 Nëntorit”.

“Z.Pence mirëpret përpjekjet e anëtarëve të Dhomës dhe Senatit për të përdorur autoritetin që ata kanë në bazë të ligjit për të ngritur kundërshtime dhe për të sjellë prova përpara Kongresit dhe popullit amerikan”.

Qendrimi i Pence merr një rëndësi të veçantë për seancën e Senatit të datës 6 Janar ku duhet të bëhet edhe shpallja e Biden fitues, pasi ai do të ketë përgjegjësinë ligjore të mbikëqyrjes së saj.

Në një deklaratë, 11 senatorët e udhëhequr nga senatori i Teksasit Ted Cruz duke cituar një precedent të mëparshëm të vitit 1877, kur u krijua një komitet bipartizan për të hetuar pretendimet për fitoren në zgjedhje, ata i kërkuan Kongresit të caktojë një komision për një “kontroll të jashtëzakonshëm 10-ditor në shtetet që kanë patur më shumë diskutime për rezultatin”.

Gjithsesi, mediat amerikane bëjnë të ditur se shanset që kjo nismë të ketë sukses janë të pakta, pasi shumica e senatorëve republikanë dhe demokratë nuk pritet ta përkrahin atë.

Të gjitha shtetet amerikane kanë vërtetuar rezultatin e zgjedhjeve, disa pas rinumërimeve dhe ankesave ligjore. Deri më tani, gjykatat e SHBA kanë hedhur poshtë 60 padi kundër fitores se Biden.

Tv Klan






Të ngjashme