Seancën e inaugurimit të Presidentit të ri, Stevo Pendarovski, konform ligjit, Kryeparlamentari Talat Xhaferi e zhvilloi në gjuhën shqipe….Më pas Presidenti i ri dha betimin solemn… në vazhdim nënshkroi deklaratën solemne …

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Pendarovski para të pranishmëve në seancën solemne të inaugurimit, ka theksuar se do t`i respektojë të gjithë qytetarët e vendit, dhe se do të jetë President i të gjithëve.

“Si President do të angazhohem në përpjekjet diplomatike për përfundimin e procesit të anëtarësimit tonë fuqiplotë në NATO dhe negociatave për anëtarësim në BE, ku do të insistoj të kyçen mendjet më të ndritura që i ka ky vend, pavarësisht nëse vijnë nga opozita, Organizatat joqeveritare, apo nga radhët e ekspertëve të pavarur.”  

Pendarovski në fjalimin e tij ka theksuar se vendi ka dy prioritete; rritja ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për përgjigje të suksesshme ndaj këtyre dy sfidave edhe pushteti, edhe opozita dhe sektori i biznesit duhet të punojnë së bashku sepse nuk ka prosperitet, nëse më të mirët e gjeneratës dëshirojnë të punojnë kryesisht në administratën shtetërore ose largohen nga këtu, përderisa në sektorin privat mungojnë kuadrot e kualifikuar.”

Marrëdhëniet e mira me pesë fqinjët dhe bashkëpunimi produktiv rajonal, për Presidentin e ri, Stevo Pendarovski janë një parakusht thelbësor për zhvillimin e një vendi me shtrirje specifike gjeografike.

“Marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Greqinë, janë një shembull i mirë se si me guxim politik dhe lënien pasdore të stereotipeve historike është e mundshme të mbrohen interesat kombëtare, por njëkohësisht të promovohen edhe interesat strategjike të vendit.”  

Ndërkaq, në vilën presidenciale në Shkup, me nderime të larta ushtarake dhe shtetërore u mbajt edhe ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit shef i shtetit.

President i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ai i Bullgarisë Rumen Radev, Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ishin prezent në inaugurimin e Presidentit të pestë të Maqedonisë së Veriut , Stevo Pendarovski. Ceremonia u mbajt në Kuvend ku kishte dhe personalitete të tjera të shumta nga rajoni dhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të trupit diplomatik.

Tv Klan